Sheh Ahmet Shkodra
Quick Facts
Biography
Sheh Ahmet Shkodra (Shkodër, 16 Mars 1881 - 17 shkurt 1927) ka qenë imam, poet dhe pir (prijës) i tarikatit Rifa'i në Shkodër dhe Shqipëri.
Biografia
U lind në Shkodër, i biri i Mulla Muhos, ish-myfti i Tuzit, nip i hoxhë Sheh Hasanit. Në vendlindje kreu mësimet fillestare dhe ato të mesme fetare pranë Haxhi Halim Jusuf Kelmendit, kurse studimet e larta në Iran, ku qëndroi shtatë vjet. Kur u kthye në vendlindje, në fillim shërbeu si mësues besimi, në shkollën fillore në Parrucë të Shkodrës. Në vitin 1911, Sheh Ahmet Shkodra u caktua të shërbente si hoxhë, imam, në xhaminë e lagjes Shabanej, kurse në vitin 1916 e themeloi teqen e tij, të Tarikatit Rifa’i.
Jeta dhe aktiviteti
Për me ushtruar të drejtën për veprimtari në tarikatin Rifa’i, duhet Ixhazetnameja, Hilafetnameja apo vërtetimi-leja, siç duhet edhe tek tarikatet tjera, të cilën Sheh Ahmed Shkodra e mori në Gjakovë, nga shehu i mirënjohur Haxhi Sheh Musaja. Haxhi Sheh Musa (1855-1917) ishte një burrë i ditur, i ndritur, kishte studiuar në Stamboll, prej atyhit nga Sheh Ibrahimit, i Teqesë së Rifai’ive të Stambollit, kishte marrë Hilafetnamenë dhe ishte dërguar misionar në Gjakovë, në vitin 1875, ku ishte pritur me dashamirësi…Në vitin 1882, Haxhi Sheh Musa, me ndihmën e disa ylemave të Gjakovës e të popullit, e ndërtoi një teqe madhështore, e cila është “Asetane” “Nana e Teqeve” e Tarikatit Rifa’i, ku pas Sheh Musës ka shërby i biri, Sheh Ademi (1896-1938), Sheh Daniolli (1911-1981), Sheh Lutfiu dhe tani asht i biri i tij, Haxhi Sheh Masari, kurse vllau i tij, Sheh Hajdari, shërben në Teqen Rifai’i, buzë Valbonës, në Gri, Shqipni. Në fillim, Sheh Ahmet Shkodra në veprimtarinë e tij, për përhapjen e Tarikatit Rifa’i, pati ofendime, sulme, kundërshtime.Por, me kalim kohe, duke i përballuar këto me durim, besim, mençuri, maturi, Tarika Rifa’i filloi të përhapet nga Shkodra, në Veri, Gegni, deri në Gjirokastër, në Jug, në Toskëri.
Vepra
Në vitin 1926, në ribotimin e librit “Këshilli i Atdheut”, Sheh Ahmed Shkodra informonte lexuesit, nëpërmjet mbulesës së fundit se: “Librat që janë gati për t’u shtyp”. Lista përmban 22 tituj, të cilët janë:
- 1. Të ramit e të Madhit t’onë në bark të Nanës
- 2. Të lemit e të Madhit t’onë e madhniet e tij
- 3. Të njitunit e të Madhit tone në Qiell
- 4. Zani i Dervishëve
- 5. Zani i Rifais
- 6. Istoria e Ehli Bejtit…
- 7. Këshilli i Dervishit
- 8. Zani i Alisë
- 9. Të lemit e Imam Alis
- 10. Ligjet e Rifaiive
- 11. Fabrika e Zotit (qoftë livdue)
- 12. Fabrika e vogël
- 13. Shekulli i vogël
- 14. Të lemit e gjithsis me kunorë të Perendis
- 15. Këshilla të nalta (filozofina fetare)
- 16. Të lemit e Zojë Fatimes
- 17. Mrekullinat e plakut t’onë
- 18. Rregulli i qeveris (hija e Perendis)
- 19. Madhnija e Naltsija e Ehli Bejtit
- 20. Barka e Nuhit (lavdi qoftë mbi të)
- 21. Rruga e drejtë, Kur’ani e Ehli Bejti
- 22. Këshilli Kombëtar