peoplepill id: sali-mustafa
SM
5 views today
6 views this week
The basics

Quick Facts

Gender
Male
The details (from wikipedia)

Biography

Sali Mustafa

Ka lindur me 5 maj 1916 në fshatin Nikishtan, rrethi i Shkupit, si fëmijë i tretë i prindërve Tahir Mustafa (1871 - 1932) dhe Bege Fetahu (1890 - 1967).

Midis dy luftërave botërore banorët e fshatit Nikishtan merreshin kryesisht me bujqësi dhe blegtori. Të rrallë ishin fshatarët që në atë kohë ishin në marrëdhënie pune, për shkak të zhvillimit të ulët ekonomik të tërë rajonit. Ata që kishin marrëdhënie pune, zakonisht ishin të punësuar në ndërmarrjen shtetërore hekurudhore dhe merreshin me mirëmbajtjen e pjesës së hekurudhës Shkup - Hani i Elezit, që kalonte pranë fshatit.

Për banorët e Nikishtanit në atë kohë arsimi fillor nuk ekzistonte. Mundësia e vetme për shkollim ishte në mësimi në gjuhën serbe, kurse shkolla më e afërt ishte ajo në fshatin fqinj me popullatë maqedonase, Vollkovë.

Largësia fizike e shkollës e cila, pra, ndodhej në një fshat tjetër, si edhe pengesa gjuhësore ishin faktorët kryesorë që kufizonin interesimin e fshatarëve për shkollimin e fëmijëve të tyre.

Mundësia e vetme për arsim në fshat ishte mësimi fetar që organizonte hoxha i fshatit e që përfshinte shkrimin e leximin e arabishtes si edhe të njohurive themelore të fesë islame. Fati donte që hoxha i atëhershëm i fshatit Nikishtan ishte i arsimuar dhe, përveç mësimit fetar, fëmijëve më të zgjuar, u jepte edhe mësim plotësues, duke ua mësuar fëmijëve më të zgjuar edhe alfabetin.

Për shkak se babai i vdiq i ri, Saliut i duhej që së bashku me vëllanë Sefedinin të kujdesej për mirëmbajtjen e familjes. Vetëm disa moshatarë të tij nga Nikishtani vijonin shkollën fillore në Vollkovë. I nxitur nga interesimi për t’u arsimuar, Saliu, sa herë që i lejonte koha, shoqërohej me moshatarë që vijonin shkollën në fshatin Vollkovë nga të cilët i zgjeronte njohuritë themelore që të shkrimit e leximit, që i kishte fituar nga hoxha i fshatit. Vlen sidomos të theksohet ndihma që Saliut në këtë drejtim ia jepte Shahin Mehmeti, baba i djemve arsimdashës Mehmeti.

Prej vitit 1937 deri në vitin 1938 Sali Mustafa ka kryer shërbimin ushtarak në ushtrinë e mbretërisë së atëhershme jugosllave. Edhe shërbimi ushtarak ka qenë një rast për t’i zgjeruar e përsosur njohuritë që i kishte përvetësuar më parë.

Pasi mbaron ushtrinë Salihu kthehet në fshat. Ishte kohë kur kriza ekonomike edhe më shumë ishte ashpërsuar dhe vështirë mund të fitohej për jetesë. Lufta e dytë botërore ishte në prag. Rëndësia strategjike e lidhjes hekurudhore Shkup - Kosovë në atë kohë ishte e madhe sepse ndërlidhte në fakt Beogradin me Selanikun. Pothuajse gjatë tërë luftës së dytë botërore Saliu ka qenë i punësuar pranë ndërmarrjes së hekurudhave, që në fillim drejtohej nga autoritetet serbe e më vonë nga ato bullgare, pas okupimit të rajonit nga ana ushtrisë bullgare.

Pas luftës së dytë botërore Saliu punon në kooperativën bujqësore “Lepenec” ku regjimi i atëhershëm komunist e kishte organizuar tërë veprimtarinë bujqësore të fshatit Nikishtan, pasi ishte bërë kolektivizimi i pronave të fshatarëve.

Në mbarim të viteve ‘40 Saliu përfaqësonte fshatin Nikishtan në këshillin e atëhershëm popullor të rrethit Gjorçe Petrov. Në atë kuadër i ofrohen mundësi të ndryshme për të vijuar kurse të ndryshme për arsim. Në vitin 1950 Sali Mustafa fillon veprimtarinë e tij si mësues i parë i shkollës fillore katërvjeçare të fshatit Nikishtan.

Në vazhdim të përsosjes së tij profesionale, nga viti 1951 e deri në vitin 1954 ai i ka vijuar kurse për mësues fillorë shqiptarë që në atë kohë, në Tetovë, i organizonte Ministria e Arsimit e Republikës së Maqedonisë.

Paralelisht me punën e rregullt si mësues dhe drejtor i shkollës fillore “Përparimi”, Sali Mustafa është marrë rregullisht me organizimin e kurseve të ndryshëm dhe të shkollës për të rritur në Nikishtan, me qëllim që të gjithë bashkëfshatarëve t’u ofrohej mundësia për shkollim.

Edhe pas shpërnguljes së tij në Shkup, në vitin 1968, Sali Mustafa ka vazhduar 11 vjet punën e mësuesit në fshatin Nikishtan. Po në atë vit, 1968, pas këmbënguljeve të vazhdueshme të tij pranë autoriteteve shtetërore, shkolla katërvjeçare e fshatit Nikishtan shndërrohet në shkollë fillore tetëvjeçare.

Në këtë mënyrë fillon një periudhë e re në përhapjen e arsimit në fshatin Nikishtan, duke ofruar mundësi të reja për shkollim, sidomos për vajzat e fshatit, të cilave për herë të parë u jepej mundësia për vijimin dhe kryerjen e shkollës fillore tetëvjeçare.

Deri atëherë shumë djem nga Nikishtani, pas mbarimit të shkollës fillore katërvjeçare, vazhdonin mësimin pranë shkollës më të afërt fillore tetëvjeçare me arsim në gjuhën shqipe, që ishte ajo e fshatit Nerez i Poshtëm. Nga ky grup nxënësish, më të mirët kanë vijuar pastaj arsimin e mesëm pranë shkollës së atëhershme normale, që më vonë shndërrohet në gjimnazin “Zef Lush Marku” në Shkup. Kështu kanë lindur edhe gjeneratat e para të mësuesve dhe arsimtarëve nga fshati Nikishtan, me çka rrumbullakohet një cikël i rëndësishëm historik: nxënësit e dikurshëm, pas studimeve, u kthyen në fshat si mësimdhënës.

Pas 30 vjetëve të kaluara në përhapjen e arsimit në gjuhën shqipe, Sali Mustafa në vitin 1979 del me pension. Ai në vitin 1992 shkon haxhi, kurse dy vjet më vonë me datën 21 gusht 1994 ndërron jetë.

Veprimtaria e Sali Mustafës ka lënë gjurmë të thella në zhvillimin e arsimit dhe kulturës në fshatin Nikishtan. Aktualisht të gjitha vajzat e Nikishtanit vazhdojnë mësimin nëpër shkollat e mesme të Shkupit dhe studimet nëpër universitete, me çka është realizuar ëndrra më e këndshme e “msusit Sali”: që çdo fëmijë i Nikishtanit të shkollohet e të aftësohet për profesione të ndryshme, si parakusht për zhvillimin e përgjithshëm të fshatit.

Të frymëzuar nga veprimtaria shembullore e Sali Mustafës, ka lindur ideja që shkolla fillore e Nikishtanit të marrë emrin e tij. Nxënësit e tij të dikurshëm duan që në këtë mënyrë ta nderojnë figurën historike të fshatit të tyre që edhe në të ardhmen do të shërbejë si shembull dhe frymëzim për brezat e ardhshëm.

The contents of this page are sourced from Wikipedia article. The contents are available under the CC BY-SA 4.0 license.
Lists
Sali Mustafa is in following lists
comments so far.
Comments
From our partners
Sponsored
Sali Mustafa
arrow-left arrow-right instagram whatsapp myspace quora soundcloud spotify tumblr vk website youtube pandora tunein iheart itunes