Mit'hat Araniti
Quick Facts
Biography
Mit'hat Araniti ose Aranitasi (Selanik, 15 mars 1912 - Tiranë, 29 nëntor, 1992) ka qenë jurist, shkrimtar e publicist i shquar në vitet '40 me fejtone humoristike e skica me dialekt tirons të cilat u përmblodhën në veprën Qyfyret e Rrem Voglit, katunar prej Rrashbulle, i cilësuar nismëtar i letërsisë dialektore. Përfaqësues i Ballit Kombëtar, për katërdhjetë vite burgime e internime ka qenë një përkthyes i palodhur i mbi 200-250 njësive përkthimore ende krejtësisht të identifikuara, të tilla si: libra shkencorë, separate dhe studime arkeologjie, historie e albanologjie.
Biografia
U lind në Selanik më 15 mars 1912, i biri i Mustafait dhe Naxhijes, ku i ati ishte me detyrë ushtarake dhe prejardhjen nga familja e kishin nga Aranitasi i Mallakastrës. Në qeveritë e pas punimeve të Kongresit të Lushnjes i ati u zgjodh ministër Lufte dhe pas 1927 qe Kryetar i Gjyqit të Përhershëm Ushtarak.
Mit'hati shkollën fillore e kreu në Freistadt, Austri dhe më pas në shkollën italiane të Korfuzit, të mesmen në Pisa e Monte Mario pranë Romës dhe arsimin e lartë për jurisprudencë në Zagreb të Mbretërisë Jugosllave, pas një pushimi dyvjeçar pranë familjes.
Ka ushtruar profesionin e gjykatësit të Paqes në Gjirokastër 1940, pas një viti në Prizren. Mori pjesë në organizimin e Balli Kombëtar, më pas u kthye në Ministrinë e Drejtësisë, që e riemëroi në Prizren, më pas në Elbasan dhe në Durrës deri më 1943, kur doli në mal në radhët e çetave nacionaliste të zonës së Mallakastrës. Mori pjesë në përfaqësinë e Ballit në takimin ku u arrit Marrëveshja e Mukjes. Në fund të vitit 1943 emërohet shef personeli i Ministrisë së Brendshme.
Së bashku me Musine Kokalarin dhe intelektualë të tjerë, krijuan në Tiranë Partinë social-demokrate. Krerët e saj u vunë në shënjestër pa marrë ende pushtetin Fronti Nacional-Çlirimtar, u arrestua më 21 nëntor 1944 dhe u dënua si figurë e Ballit Kombëtar që mbronte tezën e Shqipërisë etnike siç u arrit marrëveshja në Mukje.
Kreu rreth një vit burg në Burrel e më pas burgimin e kaloi në burgun e Artizanatit në Tiranë për mbi nëntë vite, ku bashkë Mihal Sherkon, Mirash Ivanaj dhe Lazër Radin përktheu të gjithë legjislacionin dhe bazat teorike të funksionimit të shtetit. U lirua në prill të vitit 1954, por fill pas lirimit u internua në disa kampe gjatë periudhës maj 1954-1960: në Kuç të Kurveleshit, Shtyllas e Radostimë të Fierit si dhe Çermë, Dushk e Gradishtë në Lushnjë. Si shumë të dënuar të tjerë, gjatë dënimit u mor me bujqësi dhe banesa e familjes ishte një barakë. Krahas veprimtarisë në bujqësi, u mor dhe me përkthime duke qenë se përkthente nga 6-7 gjuhë huaja.
Ndërroi jetë më 29 nëntor 1992 pranë të bijës së vetme, pa arritur t'i shpërngulet gjendja civile nga vendet e dënimit.
Vepra
Për një dhjetëvjeçar (1934-'44) ka qenë shkruar në shtypin e kohës («Illyria», «Bota e Re», «Revista Letrare», «Bashkimi i Kombit» etj.) me pjesët e tij satirike, i njohur me pseudonimet Rrem Vogli, Jago Blini, Ja Që Hë dhe Sufi Asmon Sufës. Më 1996 iu botua përmbledhja Qyfyre të Rrem Voglit, katunar pri Rrashbulle: Skica humoristike dhe publicistikë, ku përfshihen poezitë si dhe disa intervista dhe artikuj të viteve të fundit të jetës nën kujdesin e të bijës, Odeta Zhegut.
Përkthime
Araniti zotëronte një sërë gjuhësh të huaja, të tilla si italishtja, gjermanishtja, frëngjishtja, anglishtja dhe serbokroatishtja. Në burg nxuri gjuhën ruse, ndërsa turqishten e kishte gjuhën e nënës, në moshën 61 vjeçare nisi të nxënte rumanishten. Përktheu me mëditje për Muzeun Arkeologjik të Durrësit dhe të Tiranës, në fushat e albanologjisë, arkeologjisë, numizmatikës, etimologjisë, etj. Ndër autorët e përkthyer prej tij futen Meyer, Russu, Krahe, Stipčevič, de Simone, Jokli, Praschniker, Garaschanin, Benac, Ëalde, Hahn, Schufflay, Rendič-Miočevič, Katičič, Teodorova, Papazoglu, Schuckhardt, von Thalloczy, Kilian, Roman, etj. Përkthimet e daktilografuara zakonisht në katër kopje, janë bërë pjesë e fondeve të Bibliotekave Shkencore, së pari të Universitetit të Tiranës dhe më pas të Akademisë së Shkencave, i cili i porosiste përkthime deri para se të ndërronte jetë.
Përkthimi i tij i Fjalorit etimologjik të gjuhëve indoevropiane me tre vëllim, hartuar nga Alois Walde dhe Julius Pokorny nga gjermanishtja, qëndroi në dorëshkrim i pabotuar për dekada të tëra në Bibliotekën e Durrësit.
Familja
Më 1958 u martua me Agime Pipën (lindur më 9 shtator 1924 në Shkodër), u arrestua më 12 shtator 1946, tri ditë pas kryengritjes së Postribës, por urdhër arresti u lëshua tre muaj më vonë në dhjetor 1946. U dënua me 10 vite burg, u lirua më 1951; ka lënë një ditar në dorëshkrim. Patën së bashku vetëm një vajzë, Odetën.
Nderime
Për punën dhe veprimtarinë e tij patriotike e kulturore, pas vdekjes, që i erdhi më 29.11.1992, është dekoruar me titujt e urdhrat më të lartë nga Presidenti i Republikës, si “Pishtar i Demokracisë”, “Naim Frashëri” e “Nderi i Kombit”.
Referimet
- ^ Çelo Hoxha, Azem Qazimi, red. (2012). Fjalor enciklopedik i viktimave të terrorit komunist A-Ç (PDF). I. Tiranë: Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit. ff. 121–122. 978-9928-168-01-6.
- ^ Topalli, Kolec (2012). "Fjalori Etimologjik i Gjuhëve Indoeuropiane në përkthimin e Mithat Aranitit". Almanak v. II. 2: 12–16.
- ^ Ndoja, Leka (2013). Tjetërsimi i veprës intelektuale gjatë komunizmit në Shqipëri. Tiranë: Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit. ff. 25–26. 978-9928-168-12-2.
- ^ Elsie, Robert (1997). "Histori e Letërsisë Shqiptare" (PDF). Përkthyer nga Abdurrahman Myftiu. Dukagjini. f. 260. Marrë më 7 dhjetor 2018.
- ^ "Mit'hat Mustafa Aranitasi 1912-1992, biografi e shkurtë". radiandradi.com. 19 tetor 2018. Marrë më 7 dhjetor 2018.
- ^ Muça, Skënder (2012). "Mithat Araniti dhe kontributi i tij në fushën e shkencave të albanologjisë". Almanak v. II. 2: 17–20.
- ^ Butka, Uran (2013). Kryengritjet e para kundërkomuniste. Tiranë: ISKK. f. 282. 9789928168092.