Irma Toptani
Quick Facts
Biography
Irma Toptani është lindur në vitin 1979 në Tiranë. Është diplomuar në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin Filologjik, në Degën Gjuhë-Letërsi. Gazetarinë e ka ushtruar menjëherë pas përfundimit të studimeve.
Ka një eksperiencë disavjeçare në të gjitha gjinitë e masmedias, si në atë të shkruar edhe atë audio vizive, me profil kryesor, gazetarinë kulturore. Në vitin 2005 ka punuar disa muaj si gazetare në Radio Kontakt.
Më pas, deri në vitin 2006 ka punuar si gazetare në Departamentin e Kulturës në Agjensinë Telegrafike Shqiptare (ATSH).
Po në vitin 2006 ka qenë Koordinatore në Projektin e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për Fëmijë GIFFONI e në periudhën shtator- nëntor 2006, ka qenë gazetare në projektin shqiptaro-italian mbi një film dokumentar për Shqipërinë.
Përvojën si gazetare e kulturës, e ka vijuar në mediat vizive kombëtare: nga 2006-2008 në TV Klan e më pas disa muaj në Televizionin “Top Channel”, për t’u rikthyer në TV Klan në periudhën 2009-2010. Gjatë kësaj periudhe ka publikuar artikuj kulturorë në revista dhe periodikë të ndryshëm.
Prej vitit 2010 ka punuar si redaktore lajmesh në Agjensinë Kombëtare të Lajmeve News of Albania (NOA), deri në korrik 2012, kohë në të cilën emërohet në detyrën e Zëdhënëses së Shtypit dhe Këshilltare pranë Presidentit të Republikës Bujar Nishani.