Frrok Kristaj
Quick Facts
Biography
Frrok KRISTAJ (1944) u lind në fshatin Zym të Hasit të Thatë, komuna e Prizrenit. Shkollimin fillor e filloi në Zym dhe e kreu në Rakosh të Istogut. Shkollën Normale e kreu në Prizren, kurse Akademinë Pedagogjike në Gjilan. Vijoi studimet në Letërsi dhe Gjuhë Shqipe në Fakultetin Filologjik, sikurse edhe ato të Gjeografisë në Fakultetin e Shkencave të Universitetit të Prishtinës. Punoi në arsim në Planejë, Mazrrek, Gjonaj e Zym, pastaj në Akademinë Pedagogjike në Prizren, kurse nga viti 1978 ishte gazetar i të përditshmes “Rilindja” në Prishtinë. Në vitin 1986 u emërua arsimtar i Shkollës me mësimit plotësues në gjuhën shqipe në Hamburg të Gjermanisë. Në vitin 1991 kthehet përsëri në “Rilindje” (atëbotë botohej “Bujku”), pas luftës në Kosovë përsëri punon në “Rilindje”, kurse nga viti 2003 ishte gazetar i të përditshmës “Bota sot”, si dhe tash së fundi ishte redaktor i kulturës në te përditshmën ‘Iliria Post’. Është bashkëpunëtor i jashtëm i Institutit Albanologjik të Prishtinës, themelues i SHKA “Katarina Josipi” në Zym (1970), Klubit letrar “Shtjefën Gjeçovi” në Zym (1971), manifestimit letrar, kulturor e shkencor “Takimet e Gjeçovit” në Zym (1971), Kuizit të diturisë të Shkollës (me mësim plotësues në gjuhën) Shqipe në Gjermani (1991), i manifestimit kulturor “Ditët përkujtimore Nëna Tereze” në Prishtinë (1998), manifestimit letrar e kulturor “Gjurmë të Gjeçovit” në Janjevë (2001) etj. Me krijimtari letrare merret që si nxënës i shkollës fillore dhe se pjesë nga krijimtaria e tij është botuar në të gjitha gazetat dhe revistat në gjuhën shqipe në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Kosovën Lindore dhe në Shqipëri, por edhe në SHBA, Zvicërr e Gjermani. Do përmendur se herë pas here punimet e tij janë përkthyer në gjuhën serbe në Kosovë, në gjuhën kroate (në “Oko” të Zagrebit), në gjuhën turke në Kosovë, si dhe në gjuhën suedeze e gjermane (nga Ana Maria Schertel). Është mbledhës i pasionuar i folklorit.