Dasho Shkreli
Quick Facts
Biography
Dasho Shkreli është një nga luftëtarët dëshmorë shkodranë të gjysmës së parë të shekullit XIX, një nga kreshnikët që luftoi qoftë kundër malazezve në mbrojtje të atdheut, qoftë kundër osmanlinjve më rastin e kryengritjes së Hamz Kazazit e që qe kurorëzuar me sukses. Dasho Shkrelit, populli i Shkodrës, i thuri që në atë kohë këngë lavdie e trimërie, duke e bërë emrin e tij të pavdekshëm.
Dasho Shkreli, qe i biri i Hasan Shkrelit. Të parët e tij qenë të ulur që me kohë të vjetra nga Shkreli i Malësisë së Mbishkodrës. Dashoja (emri i vërtetë është Mustafa) kishte edhe tre vëllezër : Kasemin, Cafin e Sefon. Ndër këta vetëm Kasemi la pasardhës, që vazhdojnë me qenë edhe sot.
Dasho Shkrelit me vëllezër i doli zëri me rastin e kryengritjes së Hamz Kazazit në vitin 1835, siç këndohet në këngën homonime nga e cila po riprodhojmë një fragment :
- Hafis Pasha si iblisi (dreqi-H.B.)
- Trim qenka Haxhi Idrizi
- ...
- Trim qenka he e gjetët belanë.
- Lufton Dashoja me të vllanë.
Nga kënga kuptohet se në mes të gjithë çetës së Haxhi Idrizit, dallohet Dashoja me të vëllanë. Sikurse dihet historikisht, mbas mbarimit të sundimit të Bushatllinjve në Shkodër, luftimet kufitare në mes të malazezve dhe të forcave turko-shqiptare nuk kanë pushuar për vite me radhë. Ndër këto lufta kufitare është derdhur shumë gjak shqiptarësh, janë djegur e plaçkitur banorët e atyre viseve. Dasho Shkreli ashtu si kurdoherë, sa po u dha kushtrimi për mbrojtjen e trojeve tona, nuk u kursye të bënte fli edhe jetën e vet dhe të vëllezërve. Ndër të parët Dasho Shkreli bashkë me të vëllanë, Selon, iu përgjigjën kushtrimit për të shkuar në Luftën e Shpuzës.