Baba Ali Tomori
Quick Facts
Biography
Baba Ali Tomori, lindi në vitin 1893 dhe vdiq në vitin 1948. Është një nga shkrimtarët dhe historianët e rinj të bektashizmit. Shkrimet e tij nënshkruhen edhe me emrat Varfe Ali Prishtina ose me pseudonimin "Turabi".
Biografia
Ali Abaz Skëndi, i quajtur ndryshe baba Ali Tomori, u lind më 1893 në fshatin Shalës në Tepelenë. Ishte i biri i Abazit, i cili kishte mbaruar shkollën e lartë për nëpunës në Stamboll dhe emëruar në Kozan të Greqisë, ku shërbeu për 23 vjet. Në vitin 1902 Abazi kthehet në Shqipëri dhe i prirur të ndikojë sadopak në lëvizjen autonomiste shqiptare, i bashkëngjitet veprimit energjik të klerikëve bektashianë. Ai vendoset në teqenë e Prishtës, në Skrapar, e njohur në atë kohë për veprimtarinë atdhetare në mënyrë të veçantë në shpërndarjen e librave shqip në krejt jugun e Shqipërisë. Falë përkushtimit të tij të plotë, Abaz Skëndi merr dorë tek babai i teqesë dhe bëhet myhib (shkalla e parë e praktikantëve mistik të bektashizmit). Deri sa ndërron jetë në vitin 1911, ky shqiptar i madh i shërben me devotshmëri kombit të vet.
Ali Abaz Skëndi kryen arsimin fillor në Berat, ndërsa të mesmen ne Kozan ku mëson, veç greqishtes, edhe gjuhët arabe e turke. Në vitin 1913 kthehet në atdhe dhe vazhdon punën e të atit në teqenë e Prishtës. Mbas masakrës së vitit 1914 nga ana e andartëve grekë, detyrohet të marrë rrugën e mërgimit në Kajro të Egjiptit. Atje bie në kontakt me shoqëritë patriotike, u njoh me idetë e rilindëseve, u ndërgjegjësua për rolin e klerikut bektashi në shërbim të shqiptarizmit. Në këtë kohë studioi me themel letërsi dhe teologji islame, shkroi poezi dhe ese të karakterit filozofik e didaktik. Duhet përmendur këtu përmbledhja rreth 300 faqe “Mësime margaritarësh” me studime për njerëzit e mëdhenj, një pjesë e të cilave u ribotua në Shqipëri më 1934 nën titullin “Xhevher”.
Baba Aliu kthehet në atdhe për të dhënë ndihmesën e vet në shërbim të kombit. Nis veprimtarinë fetare si baba në teqenë e Kulmakut, ku thirret baba Aliu i Tomorit. Në vitin 1921 - 1923, botoi gazetën “Reforma”, e cila bëhet propagandiste e zjarrtë e idealeve rilindase, lufton “helmin e fashizmit”, përkrah tolerancën fetare e bashkëpunimin për të mirën e atdheut. Në këtë gazetë u pasqyrua Kongresi i parë bektashian i Prishtës, ashtu siç zuri vend të rëndësishëm edhe Kongresi kishtar ortodoks i Beratit, që shpalli kishën autoqefale shqiptare.
Baba Aliu ishte klerik patriot dhe intelektual përparimtar, mbështetës i ideve për një Shqipëri demokratike dhe evropiane. Më 1924 mori pjesë në varrimin e Avni Rustemit në Vlorë. Fjala e tij në ceremoninë e rastit të tërheq vëmendje për profecinë e hidhur : “ I shenjtëruari dëshmor i atdheut Avni Rustemi !... E çuditshme se më të shumtët e burrave të mirë, burrave të drejtë, burrave idealistë, janë ndarë nga kjo botë, kush viktimë e plumbit si ti, o Avni i dashur, kush prej helmit në burg e arrati”. Dhe e përfundon kështu : “Fli i qetë, Avni ! Prehu në gjirin e kësaj Vlore kreshnike, pranë Ismail Qemalit të ndjerë, pranë regjimentit apostolik të rilindjes shqiptare”.
Baba Aliu përkrahu luftën çlirimtare, luftoi bishën fashiste që pllakosi vendin, bekoi luftëtarët e lirisë, priti e përcolli në teqe pa bërë dallime politike. Mbas çlirimit, me akuza false e gjyqe të inskenuar, u vranë e u burgosën mijëra intelektualë duke eliminuar kësisoj elitën tonë patriotike. Në këtë kuadër, baba Aliu i Tomorit u dënua nga gjykata ushtarake në Gjirokastër me të njëjtën akuzë standarde si gjithë të tjerët dhe u pushkatua më 14 janar 1948. (Më 1947 u dënua me vdekje nga gjyqi komunist dhe u ekzekutua me akuzën se ka bashkëpunuar me anglezët). Fjala e tij e fundit para pushkatimit ka qënë ; “Ruani dorëshkrimet e mija. Rroftë Shqipëria !”
Kongrese Bektashiane
B. Ali Tomorri qe një nga organizatorët kryesorë të tre Kongreseve Bektashiane :
- Kongresit të Parë Bektashian që i zhvilloi punimet në Prishtë, ku ishte edhe selia e parë e teqesë së tij (në 1921).
- Kongresit të Dytë që u mbajt në Gjirokastër, më 9 korrik 1924.
- Kongresit të Tretë në Turan të Korçës, më 26 shtator 1929.
Botime
Shih edhe
Referencat
- ^ http://licodu.cois.it/421/view Statuti i Bektashinjve 1921
- ^ http://licodu.cois.it/583/view Statuti i Bektashinjve 1924
- ^ http://licodu.cois.it/420/view Statuti i Bektashinjve 1929