Mati Logoreci
Quick Facts
Biography
Mati Logoreci lindi më 10 shkurt 1867 në Shkodër, ai mendohet të rrjedhi nga familja e Logorecëve që përmendet që në vitin 1304 me emrin Logoreseos. Atë kohë ky qytet ishte një qendër tranziti e ndërlidhjeje në mes të Shqipërisë së Mesme e të Jugut me Veriun, me Kosovën e me zonat e tjera.
Jetëshkrimi
I ati i Matisë, Frano Logoreci dhe e ëma Shaqja, e kaluan jetën plot vështirësi. Frano pati hapur në Shkodër një pijetore të vogël, më pas u mor me zeje të ndryshme, megjithatë jeta i shkoi me halle e me pasiguri për të nesërmen. Matia mësimet e para i mori në Shkodër. Ai mësoi shqipen vjedhurazi, pikërisht atë kohë kur Dega e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për Shkodrën dhe për krahinat përreth e kishte gjallëruar veprimtarinë e saj, kur problemi i shqipes e i çështjes kombëtare në tërësi, ishte vënë në plan të parë. Në moshën 10 vjeç, më 1877, prindërit e dërguan Matinë të ndiqte shkollën tregtare teknike, që ishte hapur në atë qytet, një shkollë me programin e një "gjimnazi të ulët", siç e quanin atëherë, në të cilën u grumbulluan mjaft të rinj shkodranë. Këtë shkollë e ndiqnin përgjithësisht fëmijët e besimit katolik, ndonëse ata edhe pasi i mbaronin studimet kishin vështirësi të punësoheshin pranë administratës turke, për shkak të besimit të tyre. Logoreci mësoi në shkollë edhe në shtëpi për të shkruar e për të lexuar gjuhën shqipe si dhe italishten, frëngjishten e më vonë edhe gjermanishten. Shkollën ai e vazhdoi për katër vjet në Kolegjin Saverian të Jezuitëve në Shkodër, duke fituar njohuri për ekonominë e për tregëtinë. Ato vite që i shërbyen për njohje të problemeve të ekonomisë ndikuan në formimin e Logorecit, siç shihet nga shkrimet e shumta që ka botuar. Punoi çirak në shoqërinë tregtare italiane Parruca, e cila e dërgoi si llogaritar në Monfalkone afër Triestes, Matinë e zgjodhën për shkathtësi e për zgjuarsi dhe se zotëronte mirë italishten, dhe e dërguan sekretar llogaritar në Monfalkone. Ajo qendër ndikoi në formimin e mëtejshëm të Logorecit, sepse aty ai ra në kontakt me arbëreshët, me shkrimet e me veprat e Jeronim de Radës, të Dora d’Istrias, të Zef Serembes, të Stratigoit, të Santorit etj., që me aq mall e dashuri punuan për dheun e të parëve dhe për gjuhën e dashur shqipe. Aty ai u njoh me shoqëri atdhetare, me botimet e tyre, veçanërisht të arbëreshëve në Molise, ku ruhej dhe mësohej trashëgimia kulturore arbëreshe. Prej aty Matia ndoqi dhe studioi revistat dhe gazetat që botoheshin në Sofje, në Bukuresht, në Stamboll. Ai, me natyrë prej studiuesi të zellshëm, u njoh mirë me botimet e vëllezërve Frashëri, Pashko Vasës, Zef Jubanit e të tjerëve, u njoh edhe me kulturën botërore, studioi në fushën e letërsisë e të historisë. Pasi punoi në Itali, shkoi për studime për pak kohë në Francë. Studioi pareshtur si autodidakt dhe kjo është rruga kryesore e përgatitjes së tij. Pas kthimit në Shqipëri hapi një shkollë në Prizren më 1 maj 1889, për të cilën thuhet se ishte Shkolla e parë shqipe në Kosovë. Në këtë kohë Andrea Logoreci, xhaxhai i Matisë, që kishte ndihmuar për hapjen e shkollave shqipe në Kosovë duke parë mungesën e mësuesve të gjuhës në atë zonë, dërgoi dy nipat e tij, Matinë e Pashkon në Prizren për t’i bërë mësues të gjuhës shqipe. Matinë e emëruan në Prizren, më 1 maj 1889, e Pashkon në Gjakovë. Kështu Matia kaloi disa nga vitet e jetës së tij aktive në Prizren, në atë qendër të rëndësishme atdhetare, kulturore e të traditave të pasura në shumë fusha. Në Prizren krijoi edhe familjen, duke u martuar më 24.09.1894 me një vajzë qyteti, Paulina (lindur më 03.01.1878) e bija e Tomës dhe Ndreshës. Ata lindën katër fëmijë: dy djem: Kolën dhe Gjonin, dhe dy vajza: Martën dhe Shaqen. Atje dha mësim për njëfarë kohe, sepse më pas dha dorëheqje, për shkak se ra në konflikt me konsullatën austro-hungareze, që drejtonte arsimimin e katolikëve shqiptarë në Perandorinë Osmane nën kujdesin e Kultusprotektoratit. Më 1899 Logoreci ngriti një shkollë tjetër private shqiptare e cila, sikundër del nga dokumentet, ka gëzuar mbështetje të gjerë. Të dyja shkollat u shkrinë më 1900. Shërbeu si mësues në Prizren deri më 1903, kur u transferua në shkollën françeskane në Shkodër. Nuk mund të bëhet fjalë për zhvillimin historik të arsimit e të shkollës në Veri e Kosovë, pa u ndalur në mënyrë të veçantë te Mati Logoreci, një nga zbatuesit më të parë të synimeve arsimore të Rilindjes sonë Kombëtare për një shkollë kombëtare, laike, si Mësonjëtorja e Korçës e 7 marsit 1887. Mbi këtë model, Matia themeloi shkollën shqipe të Prizrenit, hartoi tekste mësimore për shkollën fillore e më vonë edhe për të mesmet, manuale në ndihmë të mësuesve, ku shkriu natyrshëm edhe rezultatet e studimeve të tij në fushat e gjuhës shqipe. Logoreci, pas emërimit të tij si mësues në Prizren, shkoi për pushime në Vjenë. Atje u takua me "mjeshtrin e diturisë gjuhësore shqiptare" Gustav majer, në atë kohë kur ky albanolog punonte me ngulm për gjuhën shqipe. Veprat e studimet e majerit, që u botuan në këtë periudhë, shërbyen për popullarizimin e shqipes në publik dhe në qarqet shkencore evropiane, u bënë një burim i mirë për të gjithë ata që donin të studionin gjuhën shqipe. Veprat e tij "Studime shqiptare" I-II-III-IV-V-VI, "Fjalori etimologjik i gjuhës shqipe me pjesë leximi dhe fjalorth", "Mbi gjuhën e letërsinë shqiptare" si dhe studimet e tjera për historinë e popullit tonë, u studiuan me kujdes nga Logoreci, i cili filloi të botojë tekste për fëmijë, duke i shoqëruar me fjalorth të bashkëngjitur.
Më 14 nëntor 1907 nisi të botojë gazetën e përdyjavshme "Dashamiri", që e shtypte në Trieste me alfabetin e quajtur "Agimi". Gazeta nuk zgjati shumë. Ajo doli vetëm në katërmbëdhjetë numra deri sa u mbyll më 6 gusht 1908. Në nëntor 1908 Logoreci përfaqësoi shoqërinë "Agimi" të Shkodrës në Kongresin e Manastirit, së bashku me poetin Ndre Mjeda,- ndikoi shumë sidomos studimet e tij gjuhësore të cilin e kishte jo vetëm kushëri të parë (djalë halle), por edhe shok e bashkëpunëtor - me At Fishtën, Hilë Mosin dhe Luigj Gurakuqin. Po më 1908, me Lazër Mjedën, të vëllanë e poetit, organizoi një shkollë nate shqipe në Shkodër. Nën kujdesin e këtij klubi ai botoi një tekst shkolle prej 201 faqesh për historinë e lashtë me titull "Ndolliina historijet t'motshme", Shkodër 1911, e cila mbulonte historinë e lashtë të Ilirisë, Maqedonisë dhe Epirit si dhe përfshinte një vështrim mbi Egjiptin dhe Greqinë e lashtë. Ai u lidh me studiues të shquar të gjuhës e të historisë sonë në trevat shqiptare e jashtë, duke këmbyer mendime e materiale për probleme të gjuhës shqipe. Përveçse me Mjedën, ai kishte lidhje e miqësi edhe me prof. dr. Aleksandër Xhuvanin, Norbert Joklin, Nikolla Ivanajn, Luigj Gurakuqin, Gjergj Fishtën, etj. Ky kontakt i drejtpërdrejtë me personalitete të shquara politike, shkencore e shoqërore, ndikuan në formimin e botëkuptimit e tij Pas pavarësisë Logoreci shërbeu si mësues në Tiranë, kurse nga 1916 deri 1918 si funksionar për arsimin në Shkodër. Më 1916 ishte edhe anëtar i "Komisisë Letrare Shqype" të ngritur në qytetin e tij të lindjes nga autoritetet austro-hungareze. Më 1920 mori pjesë në Kongresin e Lushnjës si delegat i Shkodrës. Nga 1922 deri 1923 qe sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Arsimit dhe iu kushtua arsimit derisa doli në pension më 1930.
Në vitet e fundit të jetës Mati Logoreci iu kthye botimit të një gazete të re, "Drita", numri i parë i së cilës doli më 28 nëntor 1936 dhe zgjati të paktën deri më 1939. "Drita" kishte një tirazh prej 4000 kopjesh, pra qe gazeta më e madhe shqiptare në vitet para Luftës së Dytë Botërore. Mati Logoreci vetë i redaktoi nëntëdhjetë e tre numrat e parë deri më 23 mars 1937.
Përveç tekstit "Ndolliina historijet t'motshme", Logoreci ishte autor i një numri tekstesh të tjera shkollore dhe veprash për historinë, më e mira ndër të cilat është një libër 301 faqesh "Historija e përgjithshëme", Shkodër 1924, ku bie në sy një prirje e lehtë letrare e gjuhësore. Është shquar si purist i gjuhës së dialektit të tij të Shqipërisë së Veriut. Mati Logoreci vdiq më 7 shkurt 1941 në Tiranë në moshën shtatëdhjetekatër vjeç, si figurë e shquar e arsimit shqiptar.
Burim i të dhënave
- Robert Elsie: Histori e Letërsisë Shqiptare. Botim i dytë. Përktheu nga anglishtja: Abdyrrahim Myftia. Pejë: Dukagjini 2001, Fq. 215.