Gjon Shllaku
Quick Facts
Biography
Gjon Shllaku (Shkodër, 24 mars 1923 - 16 gusht 2003) ka qenë seminarist dhe më tej u shqua si përkthyes i klasikëve helenë, latinë, francezë.
Jeta
Leu djali i dytë i Prelë Shllakut dhe Pinës së Hilë Temalit, mes Lecit dhe Luigjit. Gjyshi i tij kishte rënë nga fundi i shek. XIX prej Logut të Gegajve të Shllakut në Shkodër, i ati kishte qenë blegtor në toka të marruna me qira. I ati i vdes qysh kur Gjoni ishte 1 vjeç, si rrjedhim duke mos e njohur të atin. Rritet jetim tek daja Ndoc Hilë Temali.
Tri klasët e para të fillores i kreu në kolegjën françeskane, ndërsa klasën e katërt dhe të pestë në shkollën shtetërore tek “Dugajtë e reja”. Nga 24 shtatori 1935 deri 9 dhjetor 1945 studioi në Seminarin Papnuer të Jezuitve duke bërë edhe vitet e larta të teologjisë dhe filozofisë, studjoi për pesë vjet greqishten e lashtë, dhe për tetë vjet latinishten. Filozofia dhe teologjia jepeshin në latinishte, si gjuha e klerit që ishte. Nuk jepej gjuhë tjetër ndërkohë. Si student lexoi klasikët e antikitetit helen Sofokliun, Eskilin dhe Euripidin. Filloi të shkruante me pseudonimin Lyricus.
Më 9 dhjetor 1946 ra në burg, ishte në 23 vjeç. U dënua me burgim të përjetshëm (101 vjet) fillimisht si antar i grupit të “Bashkimit shqiptar”, si përfundim bëri 12 vjet në burgun e Burrelit dhe në batat e Myzeqesë. Në burg u njoh me Peshkop Visarion Xhuvani, me të cilin thelloi njohuritë në greqishten e vjetër , prej të cilës përktheu pjesë nga Bibla - Apostujt dhe Shenjtorët. Pati hasur edhe në një antologji të veprës së Homerit, të cilën e përktheu. Në burg nxuri greqishten e re, spanjishten dhe anglishten. Pas daljes nga burgu më 1957 ka punuar te ndërmarrja Zukth-Kashta në Shkodër si llogaritar-normist deri në pensionim. Pas rënjes së regjimit gëzoi njohjen e duhur të mundit, dhe vdes pak muaj mbasi mbushi të tetëdhjetat.
Përkthime dhe leksikografi
Një ndër mjeshtrat e këtij zanati, përktheu pjesë nga “De rerum natura” e Lukrecit dhe nga “Eneida” e Virgjilit kur ishte ende në Seminar. Në moshën 16 vjeçare përktheu të plotë “Gjeorgjikat” e Virgjilit. 17 vjeç përkthen Ben Hur-in e Lju Uallasit. Përktheu tekste biblike nga greqishtja e vjetër, “Punët e Apostujve” dhe “Apokalipsi”. Në vitin 1965 shqipëron “Iliadën” në standardin e atëhershëm, më pas u ribotua më 1979 në standardin e paskongresit 1972. Më 1995 boton shqipërimin e shtatë tragjedive të Sofokliut - përkthim që në kohë të regjimit nuk iu pranua nga Akademia, me “Kangët e Rolandit” (bot. më 2003) dhe "Le Cid" të Kornejit. Dy muaj përpara vdekjes mbaroi hartimin e “Fjalorit latinisht-shqip” të nisur prej shumë vitesh me afërsisht 65.000 fjalë. Ka lënë të pa përfunduar “Fjalorin greqisht-shqip” me rreth 18.000 fjalë. Bëri të flasë shqip Ovidin, Horacin, Shekspirin, Hygoin, Rasinin, De Musenë, Lamartenë, Shatobriandin deri tek Papa Gjon Pali i Dytë. Çmonte Nolin, Dakajn, Alkajn, Lacajn, Çomorën.
Veprat
Ka shkruar po ashtu edhe vepra të vetat, si dramat “Dy Lekët”, “Judita dhe Holoferni” dhe “Skënderi e Zulejka”. Gjatë qëndrimit në burgun e Burrelit, nis më 1950 shkrimin e dramës “Skënderi dhe Zulejka”, që e përfundoi në aeroportin e Urës Vajgurore, Berat. Me anën e dy shkodranëve të rinj, teknikë të jashtëm në pistën e Beratit, u realizua dalja e veprës së vetme të shpëtuara. Pas 47 vitesh i vëllai, regjizori Lec Shllaku, ia dorëzoi dorëshkrimin. Ky është i pari daktilografim që përfundoi në orën 20 dt. 20 nëntor 1999.
Mirënjohje
Më 25 dhjetor të 1995 i jepet titulli “Profesor” nga komisioni i kualifikimit shkencor, muaj kur dekorohet po ashtu me Urdhrin Naim Frashëri i Artë nga presidenti Sali Berisha. Në prill të 2003 i akordohet nga Pres.residenti i Republikës Alfred Moisiu urdhri “Mjeshtër i Madh” dhe nga Këshilli bashkiak i Shkodrës “Qytetar nderi i Shkodrës”. Po ashtu dekorohet me Urdhrin Naim Frashëri i Artë nga presidenti, fitues i "Penës së Artë" të dhënë nga MTKRS për përkthimin e "Gjeorgjikave" të Virgjilit më 2001. Fitues i ”Diskut e Argjendtë” nga qeveria greke me anë të ambasadës së saj në Tiranë.
Çështje diskutimi
Në një intervistë Gj. Shllaku përcjell se qe 16 vjeç kur hyri në Seminar, ka gjasë që data e lindjes në këtë artikull të bashkëndajë të njëjtin tipar josaktësie me raste të tjera në ato kohëra si p.sh. rasti i datëlindjes së Zef Pllumit.
Burime
- ^ Milani P., Amaneti i fundit i Lec Shllakut, prelemilani.com, 23 korrik 2007.
- ^ Senechal M., Long Life to Your Children!: A Portrait of High Albania, Univ of Massachusetts Press, 1997. fq. 67.
- ^ Bushati Xh., Gjon Shllaku, ‘Iliada’ që përktheu Iliadën…, Shqiptarja.com suplementi Kulturë, 6 korrik 2014.
- ^ Jubica I., Gjon Shllaku, fisniku i fundit; Ars. - p. 3, 30 mars, 2003, p. 3.
- ^ Kraja F., Profesor Gjon Shllaku, helenisti i madh, Flaka. - Nr. 7381, 25 mars, 2003, f. 9.
- ^ Kush janë shkrimtarët dhe gazetarët shqiptarë të dënuar nga diktatura, Tirana observer, 25 shtator 2012.
- ^ Kelmendi Sh., Elegji për Kalorësin e fundit, Ars. - Nr. 8, 31 gusht, 2003, f. 5.
- ^ Dibra R., Trillet letrare të një përkthyesi: Gjon Shllaku, nderim me rastin e përvjetorit të lindjes së helenistit të madh, Koha Jonë. - Nr. 79, 24 mars, 2006, f. 20 - 21.
- ^ Sipas dokumentit që pasqyron nderimin me dekoratët e Urdhrit Mjeshtër i Madh gjetur në gusht 2006 në faqen e Presidentit të Shqipërisë.
- ^ Loloçi Ç., Ndahet nga jeta helenisti i madh, Gjon Shllaku, 21 gusht 2003.