Faik Mustafa
Quick Facts
Biography
Faik Mustafa u lind në Tetovë, më 19 maj 1945 dhe vdiç më 13 shkurt 2017 në Prishtinë.
Faik Mustafa shkollën fillore dhe të mesme, i kreu në Tetovë. Studimet në Fakultetin Filologjik- Dega e Albanologjisë, i filloi në Beograd. Për shkak të kushteve të vështira ekonomike, detyrohet që një vit të punojë. Kështu, punoi si mësues (1964/65) në fshatin Grupçin të Tetovës, më 1966/67 në fshatin Shipkovicë të Tetovës dhe 1968/69 në fshatin Sellcë të Tetovës, ku pas tre muajsh, si organizator i Demonstratave burgoset dhe dënohet me pesë vjet e gjysmë heqje lirie. Pas lirimit nga burgu (3 vite të mbajtura), vazhdon dhe i përfundon studimet në Prishtinë.
Gjatë studimeve në Prishtinë, punoi gazetar në gazetën studentore "Bota e re", prej nga politika e LKJ-së e largon nga puna, me tërë stafin e redaksisë, pas tri vitesh. Më vonë punësohet në të përditshmen "Rilindja", prej nga, si ish i dënuar politik, nuk e lejojnë të vazhdojë punën. Me ndihmën e shokëve, punësohet në gazetën e atëhershme KXEMK "Kosova" të Obiliqit (1975/1979), për të kaluar me punë, pastaj, në Kuvendin e Komunës së Prishtinës, redaktor i gazetës "Gazeta e Delegatëve". Më 1990, ndër të parët, e largojnë nga puna si nacionalist, irredentist... Gjatë viteve 1994-1998 punoi si korrespondent i Zërit të Amerikës nga Maqedonia, kurse gjatë viteve 1998-2002 ishte kryeredaktor i gazetës së përditshme "Flaka e vëllazërimit", të cilës shumë shpejt do t'ia heq bishtin ideologjik komunist (Vëllazërimit) për të mbetur vetëm "Flaka". Pas kësaj u emërua drejtor i Qendrës së Kulturës në Tetovë (2006-2008), ku edhe u pensionua.
Me shkrime ka filluar të merret qysh si nxënës i Gjimnazit, për të vazhduar bashkëpunimin me shumicën e gazetave dhe revistave të kohës në Kosovë e Maqedoni. Ka shkruar vjersha për fëmijë, tregime për të rritur, pjesë teatrale, komedi, TV dhe radiokomedi, drama, skeçe, ku disa herë ka fituar edhe shpërbime.