
Quick Facts
Biography
Fahri Rashit Gjilani i njohur ndryshe edhe si Fahri Gjilani ose Fahri Rashid Gorani (Gjilan, 1 janar 1881 - 1944) ka qenë mjek kirurg, deputet dhe ministër i shtetit shqiptar.
Biografia
U lind më 1 janar 1881 në qytetin e Gjilanit, në vilajetin e Kosovës. Më 1905 kreu Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Stambollit, me ndihmën e patriotëve Hasan Prishtina, Isa Boletini e Bajram Curri vijoi studimet në Paris ku u specializua si kirurg. Shërbeu si mjek në kryeqytetin e perandorisë dhe më pas ndër viset e vilajeteve shqiptare me radhë, në Prevezë, Pejë, Prizren dhe Durrës si këshilltar mjekësor i qeverive gjatë sundimit të Princ Vidit. Atë periudhë, më 28 qershor 1914 qe ndër themeluesit e Lidhjes "Për Atdheun e për Thronin" së bashku me Dom Nikollë Kaçorrin, dr. Ibrahim Temon, Abdyl Ypin, Gurakuqin, Eshref Frashërin dhe të tjerë. Më 1916-1922 shërbeu si mjek në Shkodër dhe Korçë.
Më 1923 u zgjodh deputet, Sejfi Vllamasi në kujtimet e veta tek përshkruan fitoren e deputetëve të prefekturës së Kosovës e njëson me grupin e "irredentistëve kosovarë". Më 1924 u caktua ministër i Arsimit i qeverisë Vërlaci, post që vijoi ta mbante edhe në qeverinë dhjetëditore të Iljaz bej Vrionit. Qeveria e dërgoi në Fier së bashku me Sami bej Vrionin që të merrej vesh me kryengritësit e Lëvizjes së qershorit, pa u arritur megjithatë ndonjë marrëveshje. Po këtë vit ka qenë themelues i Partisë Demokrat-Radikale. Më 1925 ishte në grupin e deputetëve që iu hoq mandati. Më 1926-1932 shërbeu si kirurg dhe drejtor i spitalit të Vlorës, dhe nga 1932 deri më 1934 ishte drejtor i Kryqit të Kuq Shqiptar.
Ndërroi jetë më 1944.
Referimet
- ^ Dervishi, Kastriot (2012). Kryeministrat dhe ministrat e shtetit shqiptar në 100 vjet. Tiranë: 55. f. 214. 9789994356225.
- ^ Vllamasi, Sejfi (2012). Ballafaqime politike në Shqipëri (1897-1942). Tiranë: Vllamasi. f. 342. 978-9928-140-54-8.
- ^ Tartari, Flamur (2018) [1996]. "Cili ishte dr. Fahri Rashidi (Gorani) (Dr. Fahri Rashidi: krenaria e kombit tonë)". telegraf.al. Rilindja. - Nr. 1001, 7 shtator, 1996. f. 12.
- ^ Brunga, Mark (22 korrik 2014). "Celuloid, mjekësia në Durrës në kohën e Princ Vidit". shendeti.com.
- ^ "Në vazhdim të numravet kujtimorë të XXV vjetorit të pávarsís komtare". Leka: 238. 1942.
- ^ Vllamasi 2012, p. 365.