Ekrem Myrtezai
Quick Facts
Biography
Ekrem Myrtezai, lindi më 3 maj të vitit 1931 në Gjakovë. Rrjedh nga një familje qytetare, nga gjiri i së cilës, gjatë dy shekujve të fundit, kanë dalë shumë klerikë të shquar të fesë islame.
Biografia
Ekrem Myrtezai, sipas dëshirës së prindërve të tij, të cilët ishin besimtarë të devotshëm që nga viti 1941 e deri në vitin 1948, vijoi mësimet në Medresenë e Madhe të Gjakovës, e cila, së bashku me atë të Prizrenit dhe të Prishtinës, ishte njëra ndër qendrat më të njohura, në të cilën formoheshin klerikët dhe veprimtarët e fesë islame, qendër kjo ku, edhe në kushtet më të vështira për popullin shqiptar, kultivohej gjuha shqipe dhe zhvillohej vetëdija kombëtare. Pas shtatë vjetëve, mu në pragun e ixhazetit, braktisi medresenë dhe në vitin 1948 u regjistrua në Shkollën Normale të Gjakovës, ndërsa në vitin 1951 u diplomua në Pejë. Pas një viti pune si arsimtar i tetëvjeçares së Gjakovës, në vitin 1953 u regjistrua në Fakultetin Filozofik të Universitetin e Beogradit – Dega e filozofisë së kulluar. Studimet universitare i kreu në qershor të vitit 1958. Ishte njëri ndër shqiptarët e parë nga Kosova, që u diplomua në fushën e filozofisë. Gjatë viteve 1957-1963 ishte profesor i filozofisë dhe i gjuhës latine në gjimnazin “Hajdar Dushi” dhe i psikologjisë e i pedagogjisë në shkollën normale “Hysni Zajmi” të Gjakovës. Në vitet 1963-1969 ishte njëkohësisht edhe drejtor i gjimnazit “Hajdar Dushi”. Që nga viti 1969 e deri në vjeshtën e vitit 1973 punoi këshilltar i pavarur në Byronë Ekzekutive të Komitetit Qendror të LKJ dhe njëkohësisht shef i kabinetit të anëtarit të kësaj byroje – Fadil Hoxha. Studimet pasuniversitare i kreu në vitin 1972, në Fakultetin e Shkencave Politike të Beogradit, dhe kështu u bë magjistër i politikologjisë. Në vitin 1973 u zgjodh ligjërues i lëndëve Historia e filozofisë antike dhe mesjetare dhe Filozofisë marksiste. U doktorua në vitin 1977 në Prishtinë me tezën “Lenini për logjikën dialektike”. Gjatë viteve 1983-1991 ishte profesor i rregullt i lëndëve të përmendura, por edhe i disa lëndëve të tjera filozofike : i estetikës, i logjikës, i idealizmit gjerman, i filozofisë bashkëkohore etj. Një kohë e ligjëroi edhe lëndën Metodologjia dhe teknika e kërkimeve shkencore në Degën e gjuhës dhe të letërsisë shqiptare. Disa herë u zgjodh shef i Degës filozofi-sociologji të Fakultetit Filozofik të Prishtinës. Në vitin 1976 u bë laureat i Shpërblimit të dhjetorit për shkencat shoqërore. Gjatë viteve 1973-1981 ishte drejtor i Qendrës Krahinore të Arsimit Marksist. Anëtar korrespondent i ASHAK që nga viti 1996, kurse në vitin 2000 u zgjodh anëtar i rregullt i kësaj akademie. Gjatë viteve 1983-1986 ishte kryetar i Shoqatës së Docentëve, Profesorëve dhe i Punëtorëve të tjerë Shkencorë të Kosovës.