Dilaver Goxhaj
Quick Facts
Biography
Kolonel Dilaver Rezo Goxhaj është ushtarak shqiptar. Lindi në vitin 1948 në Gjirokastër. Në vitin 1962 fillon studimet në Shkollën e Mesme të Përgjithshme Ushtarake “Skënderbej”. Kryen më pas shkollën e lartë dhe në vitin 1969 titullohet oficer komandues i Artilerisë Kundërajrore për specialist i Raketave të Drejtuara Kundërajrore. Emërohet kryeteknik i Stacionit Eksperimental i Lëvizshëm për autopilotin e raketës. Në vitin 1972 emërohet shef shtabi i Grupit Teknik të Raketave në Pezë Helmës, Tiranë. Në vitin 1975 transferohet dhe emërohet shef shtabi i grupit të zjarrit RDK përsëri në Krujë. Në vitin 1979 shpallet oficeri më i dalluar në ushtri dhe dekorohet. Në vitin 1981 emërohet komandant i grupit të zjarrit RDKA në Maminas dhe gjatë kontrollit vjetor të ministrit për ushtrinë, zë vendin e parë dhe shpërblehet, duke e dërguar për studime në Akademinë Ushtarake të Shtabit të Përgjithshëm. Pasi përfundon studimet akademike, në vitin 1984, emërohet përsëri komandant i grupit të zjarrit RDKA në Petrelë dhe pas një viti e kërkon dhe e tërheq Akademia Ushtarake për pedagog taktike të MKA. Pasi kryen provimet pasuniversitare emërohet shef i katedrës së MKA dhe Aviacionit në atë Akademi si dhe anëtar i Këshillit Shkencor të saj, njëkohësisht edhe komandant i MKA për Frontin Perëndimor, për kohë luftë, detyrë e kryer në tre stërvitjet komando-shtabi me grup divizionesh të zhvilluara nga Shtabi i Përgjithshëm. Me rivendosjen e gradave në ushtri i jepet grada kolonel. Në vitin 1994 lirohet nga ushtria dhe punoi mësues I gjuhës angleze në disa shkolla të qytetit të Tiranës. Në fillim të vitit 1999, e kërkon Shtabi i Përgjithshëm I UÇK-së dhe shkoi vullnetar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku ju besua detyra e zëvendës shef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe, me angazhimin e NATO-s në atë luftë ju besua detyra e oficerit të bashkëveprimit me NATO-n. Me mbarimin e luftës emërohet shef I kabinetit të Ministrit të Mbrojtjes së Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, deri në shkrirjen e asaj qeverie. Me shkrirjen e asaj qeverie punoi pedagog i gjuhës angleze në Shkollën e Mesme Mjekësore të Prishtinës dhe në kolegjin Cambridge School–Prishtinë. Në vitin 2009 emërohet Specialist civil në QMS, pranë Komandës së Doktrinave dhe Stërvitjes dhe më pas pedagog civil në Shkollën e Trupës, për dhënien e lëndës së Trafikut Ajror, derisa doli në pension.
Gjatë karrierës ushtarake, përveç hartimit të një sërë leksionesh, dispensa e metodika për procesin mësimor në Akademi dhe Shkollën e Trupës, ka botuar me dhjetëra studime shkencore për armën e MKA dhe luftërat lokale, si dhe disa libra analitikë si: “Rruga që më çoi në UÇK”, “UÇK-ja dhe Kadareja”, “Romantika e Luftës së UÇK-së”, romanin historik “Komandanti i pararojës”, një seri botimesh studimore në “Revistën Ushtarake”, periodike, të Komandës së Doktrinës Ushtarake Tiranë, etj..