Benedikt Dema
Quick Facts
Biography
Benedikt Dema (Shkodër, 28 prill 1904 - 22 mars 1971) ka qenë frat françeskan, arsimtar dhe leksikograf shqiptar.
Biografia
U lind më 28 prill 1904 në Shkodër, i pagëzuar me emrin Mark, i biri i Pjetrit dhe Drande Boriçit. Mësimet fillore i mori në kolegjin françeskan pesëvjeçar në Shkodër. Pasi përfundoi ciklin e ulët të shkollimit, pas dëshirës u regjistrua kandidat për rregulltar i Urdhrit Françeskan. Pas përfundimit të kandidaturës, veshi zhgunin më 12 shtator 1920, kur dhe mori emrin Benedikt.
Rishtarinë e kreu në Rubik të Mirditës, pas një provë njëvjeçare kaloi “kushtet e përkohshme” në Shkodër para Provincialit P. Pal Dodaj, më 13 shtator të vitit 1921, kur mori dhe titullin frat. Më 1924 kreu këndimet për teologji në Universitetin Antonian në Romë. Më 28 prill 1925 dha "kushtet e përjetshme" dhe ë 1928 u shugurua meshtar, më 7 prill në Romë, duke marrë kështu titullin Pater. Më 24 korrik 1937 u diplomua në po të njëjtin universitet.
Prej vitit 1937 deri më 1946 kreu detyrat e udhëheqësit të gazetës “Zâni i Shna Ndout”, nënfletë e "Hyllit të Dritës". Më pas, drejtues dhe profesor i liceut “Illyricum”, si dhe drejtues i shtypshkronjës “Át Gjergj Fishta”. Në detyrën e profesorit të gjimnazit ai hartoi tekstet mësimore për lëndën e matematikës. Në klasat e lalta jepte gjeografinë dhe mësimin e fesë.
Në vitin 1946, pas mbylljes së shkollave françeskane nga regjimi komunist, P. Benedikt Dema jetën në vazhdim e kaloi brenda dyerve të “Kuvendit Françeskan”, mes shërbimeve të meshtarisë dhe studimeve. Vite më vonë, u caktua famullitar në Brigje të Hotit, ku shërbeu prej vitit 1952 gjer më 1962. Periudha e fundme e shërbimit të tij si meshtar i takon famullisë së Bajzës, dhe kjo kohë nga viti 1962 gjer në mbylljen e kishave prej Revolucionit Kulturor më 1967. Ndërroi jetë nga një infeksion në spitalin e Shkodrës më 22 mars 1971.
Vepra
Ka qenë autor i shumë artikujve përmbajtësorë për historinë e Kishës Katolike në Shqipëri që u botuan te Hylli i Dritës me nënshkrimet Ben-dea dhe P.B.D. U njoh si organizator i Simpoziumit Shkencor në 1 vjetorin e vdekjes së P. Gjergj Fishtës dhe përgatitës e botues i librit me kumtesa e studime.
Si leksikograf dhe enciklopedist, la në dorëshkrim një vëllim prej 1156 faqesh, pjesa e parë e Fjalorit të shtjelluem të gjuhës shqipe. Punimi i plotë u përgatit në daktiloshkrim prej tij në shtatë vëllime dhe u ruajt në Arkivin Qendror Shtetëror, e para në llojin e vet. Vetë kjo vepër është origjinale në llojin e vet. Pas 1976, vëllimi Mjekí (Mjekësi) i këtij fjalori, hartuar bazuar edhe mbi shënimet e sivëllaut P. Luigj Bushati, u shfrytëzua nga hetues të regjimit komunist.
Më 2005 fjalori enciklopedik i Demës u botua me titullin "Fjalor fjalësh të rralla të gjuhës shqipe".
Punime
- Nji dorëshkrim i vjetit 1671 mbi Shqypnín, Shkodër, 1930-1932.
- Shqypnija katolike në vjetin 1671, Shkodër, 1933.
- Kontributi i rregulltarve per zhvillimin e kulturës së pergjithët, Shkodër, 1934.
- Shtypi Françeskan në Shqypni, Shkodër, 1941 dhe 1943.
- Paraqitja e gjendjes etnologjike në Balkan, Shkodër, 1943.
- Veprimi letrar i At Gjergj Fishtës, Shkodër, 1943.
- Mesimi i besimit katolik, përkthim nga A. Koenig, Shkodër 1942 dhe 1944
- Jeta e krishtenë, p. nga P. Pescha, Shkodër, 1941
Referencat
- ^ Kurti, Donat (2003). Provinça Françeskane Shqiptare. Shkodër: Botime Françeskane. f. 117. 99927-789-1-1.
Benedictus (P) Marcus Dema, f. Petri et Rosae Boriçi, n. Shkodrae, d. Shkodrensis 28 Apr. 1904 [...].
- ^ Elsie, Robert (2013). A Biographical Dictionary of Albanian History. London-NY: I.B. Tauris & Co. Ltd. f. 100. 978-1-78076-431-3.
- ^ Peçi, Admirina (26 nëntor 2006). "Prifti që donte të botonte një fjalor në vitin e shkatërrimit të kishave: At Benedikt Dema". Gazeta shqiptare. 3707: 26–27.
- ^ Kurti 2003, p. 61.
- ^ Kurti 2003, p. 65.
- ^ Ndoja, Leka (2013). Tjetërsimi i veprës intelektuale gjatë komunizmit në Shqipëri. Tiranë: ISKK. f. 17. 978-9928-168-12-2.
- ^ Ndoja 2013, pp. 126-127.
- ^ Duke qëmtuar në sitin e Bibliotekës Kombëtare (bksh.al) mbi me emrin kyç të këtij artikulli.
- ^ Malaj V., Apostolic and educational work of the Francisacan Order among the Albanian people, Buletini Katolik Shqiptar, red. Gjon Sinishta, San Francisco 1990. fq. 40-41.