Xhavit Ahmeti

The basics

Quick Facts

Birth1952
Age73 years
The details

Biography

Xhavit Ahmeti

Xhavit Ahmeti, lindi më 25 tetor të vitit 1952 dhe vdiq më 21 nëntor të vitit 1996, ishte kimist shqiptar.

Biografia

Prof. dr. Xhavit Ahmeti lindi më 25 tetor të vitit 1952 në fshatin Përlepnicë të Gjilanit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa Normalen në Gjilan. Studioi kiminë në Universitetin e Sarajevës dhe në Fakultetin e Shkencave Matematikore Natyrore (FSHMN) të Universiteti i Prishtinës, ndërsa studimet pasuniversitare i kreu në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore të Universitetit të Zagrebit, në Degën e Kimisë -Drejtimi: Metodat fizike në kimi, të cilat i mbaroi me sukses të lartë.

Shkollimi

Punimin e magjistraturës me titull: "Reaksionet e esterit dimetilik të CO (II) protoporfirinës IX në tretësa protikë me imidozaolë, piridinë dhe derivate të piridinës" e ka punuar në Universitetin e Zagrebit dhe e ka mbrojtur më 1981, kurse doktoratën me titull: "Kinetika dhe mekanizmi i reaksioneve të disa komplekseve të profirinave me metale kalimtare në tretësa protikë e aprotikë, polarë e jopolarë" e ka mbrojtur po ashtu në Zagreb më 1985. Prof. Xhavit Ahmeti ka punuar në vitin shkollor 1975/76 në Akademinë Pedagogjike "Skënderbeu" në Gjilan në cilësinë e profesorit të kimisë, ndërsa që nga viti shkollor 1975/76 ka punuar në Seksionin e Kimisë të FSHMN-së dhe ka ligjëruar lëndën Kimia analitike instrumentale dhe ka udhëhequr ushtrimet e Kimisë për studentët e mjekësisë, stomotologjisë e studentët e fizikës. Që nga viti 1986 ai ka ligjëruar lëndën Kimi e përgjithshme.

Veprimtaria

Dr. Xhaviti pas dëbimit me dhunë nga objektet universitare të studentëve e mësimdhënësve shqiptarë, dr. Xhavit Ahmeti, mbajti për studentët e Degës Fizikë-Kimi të SHLP të Prishtinës ligjëratat në lëndën Kimia e përgjithshme dhe inorganike. Krahas punës edukative-arsimore, dr.Xhavit Ahmeti është shquar me punën shkencore-hulumtuese. Ai ka punuar në nëntë projekte shkencore-hulumtuese, ndërsa si absolvent ka qenë i angazhuar në projektin ndërkombëtar të UNDP. Dr. Xhavit Ahmeti ka bërë një punë të frytshme shkencore. Me punimet dhe kumtesat e tij ai është paraqitur, si autor dhe koautor, në shumë revista, simpoziume dhe tubime shkencore. Ai ka botuar 24 punime shkencore, 27 kumtesa, në nëntë projekte ishte autor ose koautor, ndërsa mori pjesë edhe në përgatitjen e 7 teksteve shkollore që nga niveli i ulët e deri tek ai universitar. Punimet e tij shkencore-hulumtuese janë botuar në revista e buletine të ndryshme shkencore e profesionale. Një pjesë të rezultateve të tij shkencore, prof. dr. Xhavit Ahmeti i ka kumtuar në simpoziume, konferenca e kongrese me karakter ndërkombëtar. Prof. dr. Xhavit Ahmeti ishte një veprimtar i dalluar në lëvizjen për pavarësinë e Republikës së Kosovës. Ai ishte një nga aktivistët e shquar për organizimin e Referendumit për pavarësi të Republikës së Kosovës më 1991 dhe u dënua për këtë shkak me dy muaj burg. Në zgjedhjet e para presidenciale e parlamentare të Kosovës prof. dr. Xhavit Ahmeti u zgjodh deputet i Parlamentit të Republikës së Kosovës. Në Kuvendin II të LDK-së më 1994 ai u zgjodh anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së. Për disa vite prof. dr. Xhavit Ahmeti ishte këshilltar për arsim i kryetarit të Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova dhe njëri nga organizatorët e sistemit të arsimit të pavarur të Kosovës. Ai ishte anëtar i delegacionit të Kosovës në negociatat që u zhvilluan atëherë në Itali me palën serbe për arsimin shqip dhe u caktua nga kryetari Rugova anëtar i grupit të Kosovës për implementimin e marrëveshjes, e cila nuk u realizua kurrë. Dr. Xhavit Ahmeti ndrroi jetë tragjikisht më 21 nëntor të vitit 1996, derisa po shkonte në një takim zyrtare në Beograd.

Referencat

  • Portali i Gjilanit
  • Portali i Gjilanit
  • Portali i Kosovës
The contents of this page are sourced from Wikipedia article on 09 Aug 2019. The contents are available under the CC BY-SA 4.0 license.